EkonomiFinancë

Pandemia zgjeron fondet e investimit – Këtë vit, 2042 anëtarë më shumë, 541 mln euro të investura, ose 17,292 euro për frymë

0

Përgjatë 9 muajve të këtij viti, numri i anëtarëve në fondet e investimeve në vendin tonë është rritur me 2,042 individë, për të prekur shifrën e 31,285. Rritja prej 6.98% e numrit të anëtarëve në fondet e investimit vjen pavarësisht faktit se vendi ka qenë në krizë ekonomike thuajse gjatë të gjithë periudhës në fjalë, si pasojë e tërmetit të vitit të kaluar, e më pas si pasojë e pandemisë, e cila mesa duket ka shërbyer si nxitje për individët për të diversifikuar portofolin e tyre të kursimeve dhe të investimeve në kohë pasigurie të lartë. Madje, rritja është bindshëm më e theksuar se e njëjta periudhë e një viti më parë, kur regjistrohej në vetëm 0.48%, tregojnë të dhënat më të fundit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF).

Rritja e anëtarëve nuk është përkthyer në një rritje eksponenciale edhe të aseteve, Gjithsesi, këto të fundit kanë prekur shifrën e 66.85 mld lekëve, nga rreth 66.78 mld lekë që ishin në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, pra në rritje me 0.1%. në 9-mujorin e vitit të kaluar, rritja fiksohej në 0.9%. Shuma përkthehet në rreth 541 mln euro, çka do të thotë se, mesatarisht, një anëtar ka investuar rreth 17.292 euro në nëj prej 6 fondeve që operojnë në vend.

Pavarësisht se, termat e rritjes janë zvogëluar, sërish bilanci mbetet pozitiv, edhe pse ekonomia shqiptare ka qenë në recesion prej muajsh. Gjatë periudhës kohore janar 2020-shtator 2020, në këtë treg ushtruan aktivitetin e tyre 6 fonde investimi, ku tre të parat e listës për numër asetesh administrohen nga “Reiffeisen Invest”, të ndjekura nga “Credins Premium” që administriohet nga “Credins Invest”, dhe më pas “WVP Top Invest”, si dhe “Albsig Standard”, që ka hyrë së fundmi.

Sa i përket portofolit të investimeve, ai dominohet nga obligacionet qeveritare, që zënë 67.5% të totalit dhe në rritje me 1.36% krahasuar me 31 dhjetorin e vitit të kaluar, ndjekur nga bonot e thesarit me 14.27%, dhe nga mjetet monetare me 10.2%. Të tre këto instrumente investimi përbëjnë 92% të portofolit të investimeve të rreth 31 mijë individëve që janë anëtarë në 6 fondet e investimeve në vendin tonë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni arrin në 2% – Perimet shtrenjtohen me 18.5% në një vit, frutat me 11.5%

Postimi mëparshëm

Si janë rritur çmimet e ushqimeve ndër vite – Frutat dhe perimet janë dyfishuar, “injorojnë” edhe inflacionin

Postimi vijues

Comments

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *