Sociale

Pandemia përmbys trendin e azilkërkuesve! Ulen ndjeshëm hyrjet në Shqipëri, sirianët zëvendësojnë irakenët, meshkujt, femrat

0

Pandemia duket se ka frenuar ndjeshëm azilkërkuesit në Shqipëri gjatë vitit 2020. Të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se, gjatë vitit 2020, numri i azilkërkuesve në vendin tonë ishte 2232, ndërkohë që vitin paraardhës fiksohej në 6557, pra në rënie me 66%. Madje, po të shohim shifrat sipas muajve, vëmë re se, fluks ka pasur vetëm në tre muajt e parë të vitit të kaluar, kur efektet e pandemisë nuk kishin nisur ende. Gjatë këtyre tre muajve ka pasur 2158 azilkërkues në vendin tonë, ndërkohë që në 9 muajt pasardhës, kur edhe efektet e pandemisë kanë qënë të pranishme thuajse në të gjithë kohëzgjatjen e vitit, kanë qenë vetëm 74 në total. Pra, rreth 98% e azilkërkuesve në vendin tonë gjatë 2020-ës ka ardhur në tre muajt e parë të vitit. Shifrat e shkurtit, me thuajse 1 mijë azilkërkues që kanë hyrë në vendin tonë, sinjalizojnë se, në rast se pandemia nuk do të kishte “goditur”, shifrat e azilantëve do të preknin nivele rekord historike. Por, pandemia nuk ka “goditur” vetëm flukset hyrëse të azilkërkuesve në vendin tonë, por ka rikonfiguruar edhe gjeografinë e tyre. Ndërkohë që në vitin 2019, shtetasit nga Iraku ishin të parët në listën e azilkërkuesve në vendin tonë, në 2020-ën, me pandeminë, sirianët ngjiten në vendin e parë, me 876 të tillë, ose 39% të totalit.

Shifrat tregojnë gjithashtu se, mbizotëron gjinia mashkullore, me thuaje ¾ e totalit të azilkërkuesve në vendin tonë gjatë 2020-ës, ose rreth 75%. Në 2019 ndërkohë, meshkujt ishin në minorancë të ndjeshme, pasi më shumë se 80% e azilkërkuesve ishin femra. Diferencat e mëdha gjinore nag viti në vit, sinjalizojnë se pjesa dërrmuese e azilkërkuesve në vendin tonë janë thjesht transit, për t`u zhvendosur në vendet e Europës, pasi tregojnë se ka shumë pak familje, dhe se mbizotërojnë individët.

Shifrat e Institutit të Statistikave tregojnë gjithashtu se viti 2020 ka sjellë një ulje të ndjeshme të numrit të atyre që kanë lënë shtetësinë shqiptare, vetëm 513, nga 741 që ishin në vitin 2019. Ata që fituan shtetësinë shqiptare ndërkohë ishin 423 shtetas, nga 485 në vitin 2019.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pandemia zbuti hendekun nxënës ngelës/nxënës dhjete, SIU analizon rezultatet e maturës në 5 vitet e fundit, 2021 ul notën mesatare, matematika, më pak “gogol”

Postimi mëparshëm

Bashkia Tiranë, ajo që shpenzon më shumë për banor. – Durrës, Vlorë, Shkodër, Fier, në fund të tabelës, me më pak se 1 mijë lekë për frymë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.