Ekonomi

Ngadalësohet rritja ekonomike/ Zbret në 6.99% në T3. Sezoni veror rriti ekonominë me vetëm 0.73%

0

Të dhënat më të fundit nga tremujori i tretë i vitit tregojnë se, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) është rritur me 6.99% kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje ekonomike shënon një ngadalësim krahasuar me tremujorin e kaluar, kur Prodhimi i Brendshëm Bruto në vendin tonë rritjes me 17.89%. Pavarësisht këtij ngadalësimi, që është edhe efekt sezonal, shifrat e tre tremujorëve të parë të vitit sinjalizojnë një rritje vjetore të ekonomisë me shifra të kënaqshme, dhe në linjë me projeksionet e institucioneve ndërkombëtare, që variojnë nga 7-8%. Nga ana tjetër, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit, ekonomia shqiptare është zgjeruar me një normë prej 0.73%. Në rritjen ekonomike gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, kontribut pozitiv kanë dhënë degët: “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor”, me 2,41 pikë përqindje, “Industri, Energji dhe Uji”, me 1,03 pikë përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia”, me 0,83 pikë përqindje, “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit”, me 0,6 pikë përqindje, “Aktivitete të pasurive të paluajtshme”, me 0,41 pikë përqindje, “Ndërtimi” me 0,39 pikë përqindje, “Informacioni dhe Komunikacioni”, me 0,24 pikë përqindje, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim”, me 0,05 pikë përqindje. Negativisht kontribuan: “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative”, me -0,23 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi”, me -0,05 pikë përqindje. Ndërkohë, taksat neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +1,30 pikë përqindje.

Por si kanë ndryshuar degët kryesore të ekonomisë gjatë tremujorit të tretë të vitit krahasuar me një vit më parë? Aktiviteti i “Industrisë, Energjisë dhe Ujit” pati një rritje me 9,37 %, aktiviteti i ndërtimit pati një rritje me 3,95 %, grupi i aktiviteteve “Tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor” pati një rritje prej 13,76 %, Grupi i aktiviteteve “Informacioni dhe Komunikacioni” u shfaq me rritje prej 8,19 %, ndërsa “Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit” ka shënuar një rritje prej 27,71 %. “Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme” ka shënuar një rritje prej 6,51 %. Grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera” shërbimi pati një rënie me 2,09 %. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 10,37 %.

Në terma tremujorësh ndërkohë, pra krahasuar me tremujorin e dytë të vitit, rritjen më të madhe e regjistron industria, me 12.89%, ndjekur nga “aktiviteti financiar dhe i sigurimit”, me 11.35%. Ndërtimi ka pësuar një rënie me 4.1%.

Sa i përket konsumit final të popullatës, shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se është rritur me 3.33% në terma vjetorë, dhe me 0.53% në terma tremujorësh.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pandemia uli rrezikun e varfërisë?! Bie norma për të gjithë treguesit, megjithatë jemi 4.7 pikë larg mesatares së BE-së

Postimi mëparshëm

Pandemia ul peshën e ndërmarrjeve të huaja/ Të huaja dhë të përbashkëta zënë 3.6% të totalit, nga 4% në 2019-ën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.