Financë

Kreditimi, rekord i ri gjatë nëntorit, – Arrin në 26.3 mld lekë, “falë” huasë së re për ndërmarrjet publike

0

Huaja e re për ekonominë gjatë muajit nëntor fiksohet në 26.3 miliardë lekë tregojnë shifrat më të fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Kjo shifër është më e larta mujore që prej dhjetorit të vitit 2020, si dhe më e larta në terma vjetorë gjatë nëntorit që prej vitit 2015, kur edhe të dhënat janë publike nga Banka e Shqipërisë. Këto të dhëna sinjalizojnë se sektori financiar bankar nëpërmjet aktivitetit kreditues vijon të jetë një prej shtyllave kryesore të rimëkëmbjes ekonomike të vendit pas dy krizave të njëpasnjëshme që kanë goditur vendin; tërmetin e dy viteve më parë, si dhe pandeminë.

Por, të dhënat e aktivitetit kreditues për nëntorin nxjerrin në pah një tjetër panoramë, dhe një element disi ndryshe që i ka dhënë shtysë rekordit të huasë së re. Ndryshe nga muajt paraardhës, shtysa ka ardhur nga kreditimi ndaj ndërmarrjeve publike, dhe jo nga sektori privat apo nga individët. Kështu, kredia e re për koorporatat jofinanciare publike gjatë nëntorit fiksohet në 3.7 miliardë lekë, që është edhe shifra më e lartë e regjistruar që prej dhjetorit të vitit 2016. Duket se kjo tendencë vjen si pasojë e vështirësive të mëdha që po kalojnë ndërmarrjet publike në vend, të cilat raportojnë humbje vjetore mjaft të larta, me hekurudhën shqiptare që kryeson këto humbje.

Ndërkohë, aktiviteti kreditues për sektorin privat duket në stanjacion gjatë nëntorit, krahasuar me tetorin, duke u fiksuar pranë 15.7 miliardë lekëve, në të njëjtat niveleve me muajin tetor. Por, në terma vjetorë kjo shifër duket në rritje të ndjeshme, pasi në nëntorin e vitit të kaluar, fiksohej pranë 11.1 miliardë lekëve.

Sa i përket individëve ndërkohë, shifrat sinjalizojnë një total të huasë së re gjatë nëntorit prej 6.7 miliardë lekësh, nga 6.5 miliardë lekë që ishte në muajin tetor. Një vit më parë gjatë së njëjtës periudhë kohore, shifra fiksohej pranë 5.2 miliardë lekëve, çka sinjalizon një rritje të ndjeshme vjetore. Huaja për blerje banesash për individët ndërkohë, si në lekë ashtu edhe në euro, edhe gjatë nëntorit raporton shenja ngadalësimi krahasuar me disa muaj më parë, kur ky tregues regjistroi shifra rekord maksimale.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

68% e shqiptarëve paguhen nën pagën mesatare, – Analiza e pagave: 0.06% e më të mirëpaguarve zë 3.66% të pagave

Postimi mëparshëm

Tkurren depozitat bankare, – Bien me 0.7% në nëntor, rënia e parë pas 20 muajsh

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.