Ekonomi

Janari konfirmon presionet inflacioniste/ Norma e inflacionit në 3.7%, aq sa në dhjetor, niveli më i lartë që prej 2011-ës

0

Norma e inflacionit gjatë janarit fiksohet pranë 3.7%, duke mbetur kështu e pandryshuar krahasuar me muajin paraardhës, tregojnë shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Pavarësisht kësaj, çmimet e konsumit regjistrohen në një rritje prej 1.3% krahasuar me muajin dhjetor. Norma e inflacionit prej 3.7% tregon se presionet inflacioniste mbeten të pranishme në ekonominë shqiptare dhe se është tejkaluar objektivi i Bankës së Shqipërisë, për një normë pranë 3%. Vetëm pak ditë më parë, guvernatori Sejko deklaroi se inflacioni këtë vit do të vijojë të mbetet mbi objektivin e institucionit, me çmimet që do të vazhdojnë të rriten, gjë e cila pritet të sjellë edhe një rritje graduale të normave të interesit në muajt në vijim.

Norma prej 3.7% e rritjes vjetore të çmimeve të konsumit është më e larta në më shumë se një dekadë, që prej vitit 2011, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave. Në këtë normë, kontributin më të madh e kanë dhënë çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,35 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transport” me +0,48 pikë përqindje, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,38 pikë përqindje. Vetëm grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” ka dhënë një kontribut negativ në normën e inflacionit gjatë janarit të këtij viti, me -0,03 pikë përqindje.

Sa i përket ndryshimit të çmimeve sipas grupeve kryesore, krahasuar me janarin e një viti më parë, në vend të parë në terma rritje gjejmë “Transportin”, me 9 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 6,7 %, “Argëtim dhe kulturë” me 3,5 %, “Komunikimi” me 3,3 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,0 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,9 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,2 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,8 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0.5 %. Ndërsa, grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ul me 0,4 %, pasuar nga grupi “Shëndeti” me -0,1 %.

Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate, përfshirë patatet” u rritën me 17,0 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 9,1 %, “fruta” me 8,5 %, “bukë dhe drithra” me 6,0 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 5,5 %, “mish” me 3,1 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,0 %, etj.

Krahasuar me muajin paraardhës ndërkohë, vëmë re se, rritjen më të madhe e regjistrojnë sërish ushqimet, me 3.3% rritje, ndjekur nga “pije alkoolike dhe duhan”, me 0.8%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa shpenzojnë shqiptarët për mirëqenien? $371 për frymë në vit, tregu vlen $1.1 mld në vendin tonë, renditemi të 102-tët në botë

Postimi mëparshëm

“Paqja Pozitive”, Shqipëria e 59-ta në botë/ Raporti i “Institutit për Ekonomi dhe Paqe”: Përkeqësohemi me tre pozicione

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.