Ekonomi

Inflacioni “kërcen” në 3.7%/ Niveli më i lartë në më shumë se një dekadë, dhjetori shtrenjtoi ushqimet me 6.8%

0

Presionet inflacioniste janë shtuar edhe më tej gjatë muajit të fundit të vitit. Sipas shifrave zyrtare nga Instituti i Statistikave, norma e inflacionit në muajin dhjetor të vitit të kaluar u ngjit në 3.7%, nga 3.1% që ishte në muajin nëntor. Kjo është norma më e lartë e regjistruar që prej vitit 2011. Gjatë dy muajve të fundit të vitit, inflacioni ka tejkaluar madje edhe objektivin e vetë Bankës Qendrore, që fiksohet pranë 3%. Institucioni ka deklaruar se këto presione do të jenë thjesht të përkohshme, por ka shtuar se nëse do të vazhdojnë, do të rishikohen politikat monetare, drejt kahut shtrëngues, pra mund të ketë edhe një rritje të normave të interesit.

Norma e inflacionit në dhjetor, prej 3.7%, duket se shkon përtej efektit sezonal, pra përtej rritjes së zakonshme të çmimeve me rastin e festave të fundvitit. Në dhjetor të vitit 2020, inflacioni fiksohej pranë vetëm 1.1%. Sa i përket ndryshimit mujor të indeksit të çmimeve të konsumit, pra krahasuar me muajin nëntor, vihet re një shtrenjtim i çmimeve me 0.8%.

Nga ana tjetër, ndikimin më të madh në këtë normë inflacioni për dhjetorin e kanë dhënë grupet: “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,22 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me 0,48 pikë përqindje. Vetëm çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë dhënë një kontribut negativ, paçka se minimal, prej vetëm -0.02%.

Sa i përket ndryshimit të çmimeve sipas grupeve, në dhjetor të vitit të kaluar vëmë re një shtrenjtim të çmimeve në grupin e “transportit”, me plot 9% në 12 muaj. Çmimet e grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” ndërkohë janë rritur me 6.4%. Pikërisht te ushqimet vëmë re rritjen më të madhe të çmimeve edhe sipas nënkategorive. Vetëm ushqimet rezultojnë 6.8% më të shtrenjta se viti 2020. Zarzavatet dhe frutat ndërkohë janë bërë mbi 11% më të kripura nga dhjetori i 2020-ës në dhjetorin e 2021-shit. Vaji rezulton 9.4% më i shtrenjtë. Rritje e ndjeshme e çmimeve vihet re edhe te sheqeri dhe ëmbëlsirat, me 5.6%, buka me 6.3%, produktet e bulmetit me 3.8%, apo mishi me 3.3%. Nga ana tjetër në kategorinë e transportit, rritja e çmimeve duket se vjen prej servisit të makinave. Çmimet e këtij shërbimi janë rritur me më shumë se 13% në dhjetor të vitit 2021.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Analiza e tregut të telefonisë / Të tre kompanitë ulën ndjeshëm xhiron dhe fitimet në 2020, “Albtelecom”, e vetmja në humbje

Postimi mëparshëm

Tetori ul aplikimet për azil/ Por, vazhdojmë të jemi të parët në rajon

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.