Ekonomi

“Fatura” ndryshe e luftës në Afganistan, – 9.2 herë më shumë se PBB e Shqipërisë këto 20 vite, e “barazojmë” në vitin 2148

0

Me tërheqjen nga Afganistani merr kështu fund një prej luftrave më jetëgjatë të historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe një prej luftrave më të kushtueshme. Një prej studimeve më të thelluara në këtë drejtim, ai i Brown University, flet për 2.26 trilionë dollarë shpenzime nga ana e ekonomisë më të madhe në botë në këtë luftë, me diçka rreth $800 mld si kosto direkte për shpenzimet ushtarake. Pjesa tjetër ka ardhur në formën e fondeve për mbështetje, rimëkëmbje, por edhe për humbjet e jetëve dhe të plagosurit. Vetëm kosto në jetë dhe shëndet e ushtarakëve dhe civilëve amerikanë këto 20 vite vlerësohet në rreth $300 mld. Por sa janë realisht 2.26 trilionë dollarë? “Scan Intelligence Unit” ka bërë një krahasim të thjeshtë me realitetin shqiptar, për të kuptuar se sa janë në terma të thjeshtuar kostot e luftës në Afganistan, vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këto 20 vite, që prej vitit 2001, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë ka qenë rreth $245 mld, shprehur me çmimet e sotme. Pra, e gjithë ekonomia shqiptare, gjatë kohës që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë në këtë luftë, ka arritur të prodhojë vetëm $245 mld. Kjo shifër është 9.2 herë më e ulët se e gjithë fatura e luftës për “SHBA”. Në rast se Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit tonë do të mbetej në të njëjtat nivele edhe në vijim, do të duheshin edhe 127 vite prodhim ekonomik për të barazuar këtë “faturë”. Pra, do të ishim në vitin 2148. Në rast se do të bënim një progresion të thjeshtë të ekonomisë shqiptare, bazuar në performancën e periudhës 2001-2021, atëherë, do të duhej të vinte viti 2070 në mënyrë që të barazohej “fatura”.

Po ta krahasojmë me shpenzimet ndërkohë, sipas buxhetit të shtetit për vitin 2021, shteti shqiptar ka nevojë për $15.8 mln në ditë shpenzime. Amerikanët shpenzuan për 20 vite rreth 300 milionë dollarë në ditë në Afganistan, në funksion të luftës, tashmë të humbur. Pra, rreth 19 herë më shumë se ç`shpenzon shteti shqiptar për funksionimin e tij në ditë, ku përfshihen investime, shpenzime, paga, pensione, etj.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Korriku, rekord depozitash! Bien ato në euro, rriten ndjeshëm në lekë dhe dollarë, 2.58 mld euro në total

Postimi mëparshëm

Pandemia “zhyt” edhe më tej industrinë e birrës, – Prodhuesit shqiptarë raportojnë rënie të të ardhurave me rreth 25%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.