FinancëRaporte

Ekskluzive/ Raporti i zgjeruar i Moody`s për Shqipërinë, – Përmirësohet në ba2 nota e ekonomisë, vlerësim për rezultatin e 25 prillit

0

“Scan Intelligence Unit” ka siguruar ekskluzivisht raportin e zgjeuar të agjencisë së vlerësimit të kreditit, Moody`s, që shoqëron vendimin për të mbajtur të pandryshuar notën e borxhit për vendin tonë, në B1 me perspektivë të qendrueshme. Ky raport i zgjeruar përfshin një sërë vlerësimesh të tjera, projeksionet për indikatoët kyç makroekonomik këtë vit dhe atë të ardhshëm, por edhe panoramën politike si dhe efektin e rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.

Sa i përket projeksioneve makroekonomike ndërkohë, Moody`s parashikon një rritje të ekonomisë shqiptare me një normë prej 4.8% këtë vit, nga 5% që projektonte në muajin shkurt, si dhe një rritje prej 4.2% për vitin e ardhshëm, nga 4.5% që parashikonte në raportin e kaluar. Projeksionet mbi ecurinë e inflacionit ndërkohë, janë shkurtuar ndjeshëm, dhe tashëm flasin për një normë pranë 1.8% këtë vit, nga 2.9% që vlerësohej më parë. Edhe për vitin e ardhshëm, projeksionet e ecurisë së indeksit të çmimeve të konsumit janë shkurtuar ndjeshëm, nga 3%, në 2.2%.

Një tjetër risi me mjaft peshë në raportin e publikuar së fundmi, të siguruar nga “Scan Intelligence Unit” vihet re edhe përmirësimi i notës së forcës ekonomike, nga ba3 që ishte ma parë, në ba2 në raportin e sapopublikuar. Vlerësimi për forcën institucionale, atë fiskale si dhe rreziqet mbetet i pandryshuar nga raporti i kaluar, ai i muajit shkurt.

Në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, Moody`s nënvizon se fitorja e një mandati të tretë nga mazhoranca aktuale, me 74 vende në parlamentin e ri, sinjalizon një vijimësi në politikbërje, veçanërisht sa i përket implementimit të reformave të nevojshme në procesin e integrimit europian. Edhe konsensusi në popullatë si dhe në spektrin politik sa i përket integrimit europian, shihet si një sinjal i mirë në këtë drejtim nga agjencia e vlerësimit. “Në një kohë që natyra e panoramës pilitike në Shqipëri pritet të vijojë të jetë thellësisht e polarizuar, konsensusi ndër-partiak drejt integrimit europian ka shërbyer për mirë gjatë viteve të fundit, dhe si shembull për këtë janë reformat e rendësishme, si ajo e drejtësisë si dhe ajo elektorale”-thotë ndër të tjera gjigandi i vlerësimit të kreditit.

Duke filluar prej muajit shkurt, agjencia po përdor disa “mjete” të tjera të vlerësimit të kreditit, faktorët ESG, ose më saktë faktorët ambiental, social dhe të qeverisjes. Ndryshe nga termat teknikë mbi të cilat jemi mësuar të “lexojmë” raportet e vlerësimit të kreditit nga agjencisë e specializuara, tanimë, nota e borxhit dhe analiza që bën agjencia për të arritur në një përfundim është më e kuptueshme për të gjithë. Nota e borxhit është përcaktuese për normën e interesit me të cilën një qeveri merr borxh nga jashtë. Kështu, të tre këta faktorë ndikojnë shumë negativisht në profilin e borxhit të Shqipërisë, nënvizon Moody`s. Madje, sipas agjencisë, ky impakt është edhe më i theksuar se vendet e ngjashme me ne, sa i përket notës së borxhit. Të tre këta faktorë marrin nga një vlerësim, dhe duket se goditjen më të madhe notës së borxhit Shqipërisë ja jep faktori social. “Ekspozimi ndaj rreziqve sociale është i lartë dhe lidhet kryesisht me cilësinë e shërbimeve bazike, faktorët demografik jo të favorshëm, emigrimin e lartë, si dhe popullsinë në plakje, që do të peshojë në terma afat-gjatë. Edhe shëndeti, të ardhurat, arsimi, apo puna vlerësohen si burim rreziku për profilin e borxhit të vendit tonë, paçka se në një nivel më të moderuar, nënvizon agjencia. Nota e vlerësimit për të tre këta faktorë mbetet e pandryshuar krahasuar me raportin e muajit shkurt.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Indeksi i Cilësisë së Elitave,- Shqipëria e 77-ta në botë, me cilësi mesatare

Postimi mëparshëm

Shpenzimet për shëndetësinë dhe strehimin rriten nga 20%-41% në T1 të vitit, bien vetëm ato për argëtimin

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.