Raporte

Ekskluzive/Moody`s jep vlerësimet për Shqipërinë. “Nota e borxhit ndikohet negativisht nga emigracioni, plakja e popullsisë, arsimi, shëndetësia, të ardhurat”

0

“Scan Intelligence Unit” ka siguruar ekskluzivisht raportin më të fundit agjencisë së vlerësimit të kreditit, Moody`s, për Shqipërinë, që nuk përbën një veprim (rating action) mbi notën ( në B1 me perspektivë të qendrueshme), por që nga ana tjetër ofron një analizë të zgjeruar të ekonomisë shqiptare. Sa i përket projeksioneve të rritjes ekonomike, ato vlerësohen në 5% këtë vit, dhe në 4.5% vitin e ardhshëm. Ndërkohë, recesioni gjatë vitit të kaluar, vlerësohet në -5.8%, që ndër të tjera, është ndër vlerësimet më optimiste mes institucioneve të tjera ndërkombëtare. Në muajin nëntor, Moody`s e vlerësonte rënien ekonomike gjatë 2020-ës, në 7.1%. Për vitin aktual, projeksionet kanë mbetur të pandryshuara. Banka Botërore e vlerëson recesionin gjatë vitit të pandemisë në -6.8%. Ndër të tjera, Moody`s vlerëson një rritje të ndjeshme të çmimeve të konsumit gjatë këtij viti, pranë 2.9%, dhe në 3% vitin e ardhshëm, çka përkthehet në “shënjestrim” të objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Sa i përket notës së borxhit sovran, gjigandi i vlerësimit, thekson se mund të ketë përmirësim, në rast se, do të vihet re një rënie e borxhit publik, apo reduktim i rreziqeve që vijnë nga detyrimet e prapambetura, si dhe nga sektori energjetik, si dhe nga forcimi i institucioneve. Gjithsesi, agjencia nënvizon se, kjo gjë ka pak gjasa që të ndodhë. Nga ana tjetër, zhvlerësim i notës së borxhit mund të vijë nga një politikë fiskale më pak e kujdesshme, nga trajektorja e pakthyeshme e borxhit publik apo nga detyrimet e prapambetura. Negativisht në notën e borxhit do të ndikonin edhe angazhimi i dobët politik në reformën e axhendave, por edhe rënia e mëtejshme e flukseve të investimeve të huaja direkte (IHD).

Për herë të parë, Moody`s ka bërë publik edhe disa “mjete” të tjera të vlerësimit të kreditit, faktorët ESG, ose më saktë faktorët ambiental, social dhe të qeverisjes. Ndryshe nga termat teknikë mbi të cilat jemi mësuar të “lexojmë” raportet e vlerësimit të kreditit nga agjencisë e specializuara, kësaj radhe, nota e borxhit dhe analiza që bën agjencia për të arritur në një përfundim është më e kuptueshme për të gjithë. Nota e borxhit është përcaktuese për normën e interesit me të cilën një qeveri merr borxh nga jashtë. Kështu, të tre këta faktorë ndikojnë shumë negativisht në profilin e borxhit të Shqipërisë, nënvizon Moody`s. Madje, sipas agjencisë, ky impakt është edhe më i theksuar se vendet e ngjashme me ne, sa i përket notës së borxhit. Të tre këta faktorë marrin nga një vlerësim, dhe duket se goditjen më të madhe notës së borxhit Shqipërisë ja jep faktori social. “Ekspozimi ndaj rreziqve sociale është i lartë dhe lidhet kryesisht me cilësinë e shërbimeve bazike, faktorët demografik jo të favorshëm, emigrimin e lartë, si dhe popullsinë në plakje, që do të peshojë në terma afat-gjatë. Edhe shëndeti, të ardhurat, arsimi, apo puna vlerësohen si burim rreziku për profilin e borxhit të vendit tonë, paçka se në një nivel më të moderuar, nënvizon agjencia. Faktori ambiental vlerësohet se ka një impakt të moderuar në notën e borxhit, si pasojë e rëndësisë së sektorit bujqësor në ekonomi, varësisë ndaj turizmit dhe varësisë thuajse totale ndaj burimeve hidrike sa i përket energjisë elektrike, pasi thatësirat mund të ndikojnë rritjen ekonomike, etj, etj. Edhe sa i përket faktorit të qeverisjes, impakti i tij vlerësohet si negativisht i moderuar, me sundimin e ligjit dhe kontrollin e korrupsionit si elementët më negativ.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Si po ngrohen shqiptarët? Më shumë se gjysma me dru. Tiranasit, Vlonjatët, Durrsakët, më “modernët”

Postimi mëparshëm

“Blloku” në qetësi, “zien” “Rruga e Elbasanit”. Cilat janë zonat më të zhurmshme të Tiranës?

Postimi vijues

Comments

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.