Raporte

Ekonomia do “shpërthejë”, por pa “bereqet” për qytetarët- BB: Rritja ekonomike e Shqipërisë këtë vit në 7.2%, por do ketë rritje çmimesh, dhe qeveria i ka “duart e lidhura” për të ndërhyrë

0

Rritja ekonomike prej 17.89% në tremujorin e dytë të këtij viti ka shtyrë Bankën Botërore të rishikojë ndjeshëm projeksionet për rritjen ekonomike të vendit tonë këtë vit, në publikimin më të fundit për parashikimet ekonomike të rajonit. Institucioni me bazë në Washington parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me një normë prej 7.2% këtë vit. Vetëm disa muaj më parë, në qershor të këtij viti, projeksionet e bankës flisnin për një normë rritje ekonomike prej vetëm 4.4%. Pra, rishikimi vlen 2.8 pikë përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Madje, projeksioni i Bankës Botërore është edhe mbi ato të vetë qeverisë shqiptare, e cila në fillimvit parashikonte një normë rritje maksimale të ekonomnisë prej rreth 6%.

“Rimëkëmbja ekonomike në 2021-shin është më e fortë se çfarë ishte parashikuar fillimisht, në një kohë që turizmi dhe ndërtimi kanë kapërcyer duke ndjekur kërkesën e fortë nga jashtë. Investimet private, konsumi, si dhe shpenzimet publike kanë udhëhequr rritjen. Politikat makroekonomike kanë mbështetur gjithashtu rimëkëmbjen, pavarësisht se shpenzimet e larta publike kanë rritur normën e borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto për të dytin vit me radhë. Punësimi dhe pjesëmarrja në forcat e punës duhet të rimëkëmbet ende, por rritja e të ardhurave pritet të çojë në një rënie modeste të varfërisë. Pasiguria mbetet e lartë në një kohë që rastet me covid-19 janë sërish në rritje”-nënvizon mes reshtave Banka Botërore për ekonominë shqiptare.

Pas vitit aktual, kur rritja parashikohet në 7.2%, që do të ishte më e larta që prej vitit 2008, kur ekonomia rritej me 7.5%, vitin e ardhshëm termat e rritjes pritet t`i rikthehen normalitettit. Kështu, për vitin 2022, rritja ekonomike e vendit parashikohet në 3.8% për të zbritur lehtë në 2023, në 3.7%, nënvizon Banka Botërore. Sa i përket krahasimit me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, një rritje prej 7.2% do e bënte Shqipërinë ekonominë e dytë në rajon me rritjen më të madhe, pas Malit të Zi, ku rritja parashikohet në 10.8%. Krahasuar me rajonin e gjerë, të marrë në analizë nga Banka Botërore, ai i Europës dhe Azisë Qendrore, rezulton se projeksionet për Shqipërinë këtë vit janë më të lartat pas Malit të Zi, Gjeorgjisë dhe Turqisë. Sa i përket Kosovës ndërkohë, rritja ekonomike për këtë vit, parashikohet të jetë gjithashtu ndër më të lartat në rajon, dhe shumë afër shifrave të Shqipërisë, pranë 7.1%. Për Kosovën projeksionet janë rishikuar gjithashtu ndjeshëm, me 3.1 pikë përqindje krahasuar me muajin qershor të këtij viti.

Por, ndërkohë që shifrat makroekonomike duken mjaft pozitive, ekonomia reale, ajo që do të perceptojnë qytetarët nuk do të ketë ngjyra edhe aq të ndezura. Banka Botërore në raport flet për rritje të presioneve inflacioniste, duke parashikuar një rritje të çmimeve jo vetëm këtë vit, por edhe dy vitet e ardhshme. Për këtë vit, norma e inflacionit parashikohet në 2.6%, ndërsa për vitin e ardhshëm në 2.9% dhe në 2.8% në 2023, çka do të thotë se, vitin e ardhshëm, rritja e çmimeve do të jetë edhe më e theksuar.

Veç kësaj, Banka Botërore vë theksin edhe te mungesa e hapësirave fiskale për të manovruar. Rritja e lartë e borxhit publik, pranë nivelit të 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit, i ngushton ndjeshëm opsionet në dorë të qeverisë për të bërë ndërhyrje fiskale në ndihmë të qytetarëve apo bizneseve.

“Përtej 2021-shit, shpenzimet do të përmbahen nga hapësira e limituar fiskale, ndërkohë që borxhi publik projektohet të rritet në 78.6% të PBB-së këtë vit. Hapësira fiskale mund të përkeqësohet më tej. Në këto kushte, qeveria do të detyrohej të shkurtonte shpenzimet kapitale, për të parandaluar një rritje të mëtejeshme të borxhit publik në raport me PBB. Ndër të tjera, një varësi më e lartë ndaj financimit të jashtëm, kursi i këmbimit, normat e interesit dhe rreziqet për rifinancim, mbeten të larta”-nënvizon Banka Botërore, duke vënë theksin te nevoja e një reforme afat-mesëm për të rritur të ardhurat në buxhet dhe për të arritur konsolidimin fiskal, duke lejuar njëkohësisht rritjen e shpenzimeve.

Pra, shifrat në tërësi flasin për një "boom" ekonomik të Shqipërisë këtë vit, por që nuk do të mund të perceptohet dot nga qytetarët, për shkak të rritjes së ulët të të ardhurave, rritjes së çmimeve dhe mungesës së hapësirave fiskale të qeverisë për të ndërhyrë.

 

 

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Depozitat prekin rekord 9 vjeçar, – Gjatë gushtit rriten me hapin më të shpejtë që prej 2012-ës, arrijnë në 1.17 trln lekë

Postimi mëparshëm

Sa mund të kursejë një familje shqiptare? Mesatarisht, 2 mijë euro në vit. Do i duheshin 30 vite për të blerë një shtëpi, 7 vite e gjysëm për një makinë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.