Ekonomi

Dibra, Kukësi, Berati i vendosin “frenat” ekonomisë, Tirana dhe Durrësi, “lokomotiva”

0

Instituti i Statistikave ka bërë publike të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto sipas rajoneve Statistikore në Shqipëri për vitin 2019. “Scan Intelligence Unit” ka përpunar të dhënat për të kuptuar se në cilat nivele ka qenë ky tregues para pandemisë. Krahasuar me vitin 2018, Prodhimi i Brendshëm Bruto sipas Rajoneve për vitin 2019 shihet të ketë pësuar një rritje me 2.11% duke arritur kështu në vlerën 1.691.729 lekë nga 1.635.715 lekë. Kontributin më të madh në rritjen ekonomike e ka dhënë qarku i Tiranës me 1.06 pikë përqindje, pasuar nga qarku i Durrësit me 0.43 %, tregojnë të dhënat. Po ashtu qarku i Fierit ka patur një ndikim pozitiv në rritjen ekonomike duke kontribuar me 0.36 pikë përqindje. Nga ana tjetër ka patur qarqe që kanë ndikuar negativisht në rritjen ekonomike. Kontributi në qarkun e Dibrës regjistrohet -0.09 pikë përqindje, i pasuar nga Qarku Berat me një kontribut prej -0,07 pikë përqindje dhe Qarku Kukës me një kontribut prej -0,05 pikë përqindje.

Po të flasim sipas rajoneve, rajoni qendër është kontribuesi më i madh. Prodhimi i Produktit të Brendshëm Bruto me çmime korente në rajonin Qendër, ishte 835,1 miliardë Lekë ose 49,36% ndaj totalit të PBB-së duke pësuar kështu një rritje krahasuar me vitin 2018. Në rajonin e Veriut për vitin 2019 Prodhimi i Produktit të Brendshëm Bruto ishte 23.03% ndaj totalit të vendit duke u rritur me 2.16%, ndërsa ai i Jugut zë 27,61% ndaj totalit të vendit dhe në terma reale ka shënuar një rritje me 1,78 %. Sipas rajoneve statistikore në nivel Qarku shohim se rritjen reale më të lartë e shënoi Qarku Durrës me një rritje në terma realë prej 4,37%, i ndjekur nga ai i Gjirokastrës me një rritje reale prej 3,99% dhe Qarku Fier me një rritje në terma realë prej 3,26% të PBB-së për vitin 2019, krahasuar me një vit më parë. Nuk mund të themi të njejtën gjë për qarkun Dibër, Kukës dhe Berat. Këto qarqe kanë shënuar një rënie në terma realë ku Dibra ka rënë me 2,89%, Qarku Kukës me një rënie në terma reale prej 2,80% dhe Qarku Berat me 2,06%, duke ngadalësuar kështu rritjen ekonomike.

Nëse do të flisnim për nivelin e Produktit të Brendshëm Bruto për frymë sipas qarqeve themi se niveli më i lartë në vitin 2019, ishte në Qarkun Tiranë, me 802 mijë Lekë dhe shënoi një rritje në terma nominale prej 2,42%. Më pas renditet Qarku Fier, me 641 mijë Lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale prej 6,49%. Niveli më i ulët i Produktit të Brendshëm Bruto u vlerësua në Qarkun e Kukësit me rreth 359 mijë Lekë duke shënuar një rënie në terma nominale me 0,94% krahasuar me vitin 2018.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bankat, 577 mln euro për objektivat e OKB,- Kontributi i sektorit për 17 objektivat SDG, barazia gjinore dhe rritja ekonomike zënë 61%

Postimi mëparshëm

Shqipëria më e shtrenjta në rajon. Rriten ndjeshëm çmimet e arsimit, ushqimeve, mirëmbajtje shtëpie krahasuar me një vit më parë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.