Uncategorized

Cilat janë lagjet më të preferuara të Tiranës? “Unaza e re”, “Farka” dhe “ish-kinemaja”! “Kombinati” “zbrazet”

0

“Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat e Open Data, Bashkia Tiranë, sa i përket e lëvizjes së popullsisë sipas njësive administrative të Tiranës gjatë vitit 2019. Bilanci i lëvizjeve llogaritet si diferencë e regjistrimeve të reja në gjendjen civile minus numrin e ç`regjistrimeve të kryera, pra diferenca mes të ardhurve dhe të larguarve nga ajo “lagje”.

Astiri”, “Farka” dhe “ish-kinema 17 nëntori” më të preferuarat, “Selvia” dhe “M.Shyri” të fundit

Nga analiza e të dhënave shohim se Njësia Kashar dhe Njësia Farkë janë dy njësitë me numrin më të lartë të të ardhurve. Në njësinë Kashar regjistrohen 8005 individë të ardhur, ndërsa në njësinë e Farkës regjistrohen 2730 individë të ardhur. Njësia Kashar, një ndër njësitë e reja administrative të shtuara në Tiranë, pas reformës territorial, është ajo që përfshin zonën e njohur ndryshe si “Unaza e re”, apo “Astiri”, e cila gjatë viteve të fundit është shndërruar në një prej lagjeve më të mëdha të Tiranës. Zona e Farkës ndërkohë, gjatë viteve të fundit, gjë që e vërtetojnë edhe shifrat e 2019-ës ka njohur një rritje të madhe të ndërtesave rezidenciale, kryesisht luksoze. Ndër njësitë e vjetra të Tiranës ndërkohë ajo me numrin më të lartë të të ardhurve rezulton njësia numër 9, zona pranë fakultetit të shkencave të natyrës, e ndjekur nga njësia numër 7, njohur ndryshe si zona përreth 21 dhjetorit. Në vend të tretë kemi njësinë numër 5, Tirana e Re. Numrin më të vogël të të ardhurve e shohim në njësitë Zall Bastar, Shëngjergj, Bërzhitë dhe Krrabë. Njësia numër 10, e njohur ndryshe si zona pranë “M.Shyri” është ajo më pak e preferuara për të jetuar në Tiranë për vitin 2019, ndër lagjet tradicionale, dhe ndiqet nga “Selvia”, njësia numër 8.

Tërmeti “zbraz” kombinatin?

Nga përpunimi i të dhënave mbi numrin e të larguarve nga Njësitë Administrative shohim se bilancin më të lartë të të larguarve gjatë vitit 2019 e regjistron njësia numër 6, ajo e Kombinatit, me një shifër 4711 të larguar, e pasuar nga njësia 5, e njohur ndryshe si Tirana e Re, me 2416 banorë, si dhe ajo e “Laprakës”, me 1933 banorë.

“Scan Intelligence Unit” ka llogaritur ndryshimet e popullsisë për secilën njësi administrative për vitin 2019 në raport me numrin total të popullsisë për atë njësi administrative. Pas “Kombinatit”, njësia numër 10, e njohur ndryshe si zona e “Myslym Shyrit” është e radhës në listën e lagjeve me tkurrjen më të madhe të popullsisë në 2019. Nga të dhënat e nxjerra shohim se raportin më pozitiv për këtë vit e regjistron Njësia e Farkës me 11.3% dhe e Kasharit me 15.5%

Nga të dhënat e përpunuara ajo që tërheq vëmendjen është rënia drastike e popullsisë në njësinë e Kombinatit. “Scan Intelligence Unit” ka parë ecurinë e kësaj njësie që nga viti 2010 deri në vitin 2019 ku vihet re një raport pozitiv i kësaj njësie përgjatë harkut kohor 2010-2018 dhe një rënie e paparashikuar në vitin 2019 me 4% në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë së kësaj njësie. Kjo rënie mund të shpjegohet me tërmetet e muajit shtator dhe nëntor të vitit 2019. Kujtojmë se zona e Kombinatit rezultoi ajo me dëmtimet më të mëdha nga tërmeti i nëntorit në kryeqytet.

“Astiri” dhe “Fresku” me rritjen më të madhe gjatë viteve të fundit

Një rritje pozitive përgjatë viteve vihet re në njësinë administrative të Dajtit dhe Kasharit, sidomos gjatë vitit 2017, me një numër prej 10705 individësh në njësinë Kashar dhe një numër prej 5023 individësh në njësinë e Dajtit. Kjo mund të shpjegohet me faktin se në këto zona kohët e fundit po bëhen ndërtime të reja dhe kompekse të reja të cilat kanë tërhequr popullsinë, dhe që njihen masivisht si zona e “Astirit” dhe “Fresku”.

Sa i përket panoramës së përgjithshme, gjatë vitit 2019 për totalin e popullsisë në të gjitha njësitë, shohim se, më shumë janë të ardhur sesa të larguar, ku të ardhur regjistrohen 32 708 individë dhe të larguar regjistrohen 22 120 individë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Gjoba” ruse, 1.45 mln euro dëm Shqipërisë! Dyfishimi i taksës së grurit, Rusia, importuesi më i madh i drithërave në vend

Postimi mëparshëm

Harta e shpërndarjes së vaksinave nga COVAX. Si pozicionohet Shqipëria?

Postimi vijues

Comments

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.