EkonomiRaporte

BERZH rrit projeksionet për Shqipërinë/ Rritja ekonomike këtë vit parashikohet në 8%, e dyta më e lartë në rajon

0

Pas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, tashmë edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rritur ndjeshëm projeksionet për rritjen ekonomike të vendit tonë gjatë vitit aktual. Tashmë, institucioni projekton një normë rritje të ekonomisë pranë 8% këtë vit, nga 4.5% që parashikonte në raportin e fundit, atë të muajit maj. Raporti i sapopublikuar, i perspektivës ekonomike rajonale analizon ekonominë e 35 vendeve që mbulon banka, kryesisht vende të Europës qendrore, lindore dhe juglindore, të cilat kanë një të shkuar totalitare. Por, ndërkohë që institucioni ka rritur ndjeshëm projeksionet për rritjen ekonomike të ekonomisë shqiptare gjatë vitit aktual, për vitin e ardhshëm, parashikimet janë zhvlerësuar, pasi tashmë rritja ekonomike projektohet në 3.7%, nga 4% që projektohej në raportin e muajit qershor të këtij viti.

Me një rritje ekonomike prej 8% këtë vit, Shqipëria projektohet të jetë ekonomia e dytë në Ballkanin Perëndimor me rritjen më të madhe, pas Malit të Zi, ku rritja projektohet mbi 12%. Sa i përket Kosovës, parashikimet flasin për një normë rritje pranë 7.7% këtë vit, dhe prej 4.5% vitin e ardhshëm. Mesatarja e rajonit prej 6 vendesh, sa i përket rritjes ekonomike këtë vit, projektohet në 6.4%, ndërkohë që mesatarja e të 35 vendeve të analizuara fiksohet pranë 5.5%.

“Ekonomia shqiptare ka regjistruar një rritje ekonomike pozitive për 3 tremujorë me radhë, që nga tremujori i fundit i vitit 2020, deri në tremujorin e dytë të vitit 2021. Konsumi i familjeve po përfiton nga rritja e remitancave. Politikat fiskale dhe monetare mbeten akomoduese për të mbështetur rimëkëmbjen në një kohë që presionet inflacioniste janë të moderuara dhe niveli i inflacionit është ende nën objektivin e Bankës Qendrore. Rindërtimi i lidhur me tërmetin do të vijojë t`i japë një shtysë ekonomisë në terma afat-shkurtër, duke marrë mbështetjhe edhe nga emetimi i eurobondit, i planifikuar për në fund të vitit”-thotë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raport për Shqipërinë.

Klikoni këtu për raportin e plotë

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Paketa fiskale nxit rritje tjetër të çmimeve/ Karburantet, kafja, birra, vera, prej 1 janarit do të shtrenjtohen edhe nga qeveria

Postimi mëparshëm

Buxheti 2022 sipas qarqeve/ Tirana me rritjen më të madhe. Qeveria më e kursyer me Gjirokastrën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.