Ekonomi

“4iG” merr 55% të tregut të telefonisë në Shqipëri/ Aprovohet blerja e “ONE”. Tregu do mbetet me 2 operatorë, “Vodafone” zbret në vend të dytë

0

Kompania “4iG” dhe “ONE” në Shqipëri kanë njoftuar aprovimin e marrëveshjes dhe blerjen e “Albania Telekom Invest AD”, kompanisë që zotëron 99.899% të aksioneve të “ONE” në vendin tonë, nga kompania hungareze. Ky konfirmin vjen pas asaj të përfitimit të rreth 80% të kuotave të “Albtelecom” në vendin tonë nga e njëjta kompani hungareze. Për rrjedhojë, tregu i telefonisë lëvizëze në vendin tonë, do të jetë tashmë i përqëndruar në vetëm dy kompani, “ONE” dhe “Vodafone”. Me shumë gjasa, kompania e re që do të krijohet pas shkrirjes së “ONE” dhe “Albtelecom” nën një aksioner shumice të përbashkët do të mbajë emrin “ONE”. Vetëm pak kohë më parë, “4iG” bleu operatorin më të madh të telefonisë lëvizëse në Mal të Zi, “Telenor”, duke i ndryshuar edhe emrin në “ONE”.

Por, si ndryshon tregu i telefonisë celulare në vendin tonë pas këtyre operacioneve? “Scan Intelligence Unit” ka bërë një hulumtim të detajuar sa i përket ndarjes së tregut, për të kuptuar se çfarë peshe do të kenë dy operatorët e vetëm në tregun tonë. Bazuar në të dhënat e fundit të vitit të kaluar, “ONE” ka rreth 39.4% të abonentëve të telefonisë, “Albtelecom” rreth 15.3%, ndërsa “Vodafone” rreth 45.3%. Kjo do të thotë se tashmë Vodafone do të pozicionohet në vend të dytë, me kompaninë e re të “4iG” që përfaqëson rreth 54.7% të tregut të telefonisë lëvizëse në vendin tonë. Më saktësisht, në fund të vitit të kaluar, “ONE” numëronte 1.032.085 abonentë të telefonisë, “Albtelecom” 400.041 abonentë, ndërsa “Vodafone” rreth 1.185.435 abonentë.

Ndër të tjera, “4iG” duket se ka blerë kompaninë me zgjerimin më të madh në treg, të paktën gjatë 3 viteve të fundit. Gjatë vitit të kaluar, “ONE” ka rritur me rreth 18% abonentët e saj, ndërkohë që për “Albtelecom” dhe “Vodafone” shifrat rezultojnë në rënie. “Vodafone” ka regjistruar një rënie të numrit të abonentëve me 3.2%, ndërsa “Albtelecom” me 4%. Gjatë 3 viteve të fundit, pesha e “Vodafone” në tregun shqiptar është tkurrur, nga 49.36% në vitin 2019, në 45.3% gjatë vitit të kaluar. “One” dhe “Albtelecom” së bashku zinin rreth 51% të tregut gjatë vitit 2019, ndërsa sot, janë ngjitur në thuajse 55%.

E njëjta gjë vlen edhe për abonentët e internetit 3G/4G. “Vodafone” zë rreth 45% të tregut, ndërkohë që 55% përfaqësohet nga “One” dhe “Albtelecom”. Si me telefoninë, edhe në drejtim të internetit, “ONE” regjistrohet në rritje të ndjeshme gjatë vitit të kaluar, me 14.9% në numër abonentësh. Edhe “Albtelecom” është rritur me 2.1%, ndërkohë që abonentët e “Vodafone” kanë rënë me -5.7%.

Me blerjen e kuotave të mazhorancës së “Albtelecom”, 4iG do të kontrollojë gjithashtu rreth 77% të tregut të telefonisë fikse në vendin tonë.

Nuk ka ende asnjë shifër zyrtare në lidhje me vlerën e dy transaksioneve, por të paktën në rastin e “ONE” me shumë gjasa do të përbëjë një shifër të konsiderueshme duke llogaritur edhe investimin e kryer nga kompania gjatë viteve të fundit, mbi 90 mln euro sipas “4iG”. “4iG” është një kompani e kuotuar në bursën e Budapestit me një vlerë tregu prej rreth 1.34 mld eurosh.

Në mesjavë pritet edhe “zbarkimi” i hungarezëve në Shqipëri, për t`u prezantuar zyrtarisht në dy kompanitë e përfituara së fundmi, “ONE” dhe “Albtelecom”.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Indeksi Global i Fuqisë së Butë”/ Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe mes vendeve të fundit në botë

Postimi mëparshëm

Shqiptarët presin euron brenda 2025-ës/ Adoptimi i monedhës europiane, në Shqipëri, dëshira dhe pritshmëritë, më të larta se në çdo vend tjetër

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.