Financë

43% e familjeve shqiptare nuk kanë asnjë pasuri financiare, por rritet pesha e atyre që i kanë paratë në bankë

0

Banka e Shqipërisë së fundmi ka publikuar vrojtimin periodik të saj me frekuencë gjashtëmujore që lidhet me zhvillimet mbi gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020. Nga të dhënat e marra në përpunim nga “Scan Intelligence Unit” rreth pasurisë financiare të familjeve, shohim se 43% e totalit të familjeve të marra si kampionim nga Banka e Shqipërisë, kanë deklaruar se nuk zotërojnë asnjë lloj pasurie. Krahasuar me gjatëmujorin e parë të vitit 2020 kjo peshë është rritur me 2 pikë përqindje, nga 41% në 43%. Po të marrim në analizë vetëm pjesën e familjeve që kanë deklaruar se zotërojnë pasuri financiare, siç e tregon dhe grafiku i mëposhtëm rezulton se depozitat bankare janë investimi kryesor me një peshë prej 65 përqindësh e ndjekur nga kursimet në para jashtë bankës me 23%. Investimi në depozita bankare ka rezultuar në rritje me 3 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e kaluar.

Sipas raportit, duke e ndalur fokusin te pasuritë e patundshme të familjeve të pyetura, vihet re se 95% e tyre kanë deklaruar se zotërojnë të paktën një pronë të patundshme. Nëse do të flisnim për ndryshimin e kësaj vlere krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, sipas të dhënave kjo peshë ka mbetur thuajse konstante duke rënë vetëm me 1 pikë përqindje. 92 % e tyre zotërojnë 1-2 prona të patundshme, 2% e tyre zotërojnë më shumë se dy prona të patundshme dhe 5% e tyre nuk zotëron asnjë pronë.

Gjatë gjashtëmujorit të dytë, Banka e Shqipërisë ka marrë në vrojtim gjithashtu edhe shpërndarjen e familjeve sipas nivelit mujor të të ardhurave si dhe shpërndarjen e familjeve sipas nivelit mujor të shpenzimeve. Siç e pasqyron dhe grafiku i mëposhtëm, 56% e familjeve kanë deklaruar të ardhura mujore në nivelin “17-50 mijë lekë”, duke kryesuar si vlerë dhe krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar është rritur me 1 pikë përqindje. Nga ana tjetër, rreth 9% e tyre deklarojnë të ardhura të ulëta mujore “deri në 17 mijë lekë”, 28% deklarojnë të ardhura mujore “50-100 mijë lekë” dhe 6% deklarojnë të ardhura në nivelin “100-200 mijë lekë”.

“Scan Intelligence Unit” gjithashtu ka përpunuar të dhënat e bankës edhe sa i përket shpërndarjes së familjeve sipas nivelit të shpenzimeve të domosdoshme të jetesës. Nga të dhënat del se gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2020 vihet re një zhvendosje drejt niveleve më të larta të shpenzimeve mujore. Rreth 56% e kampionimit kanë deklaruar shpenzimet e tyre mujore në nivelin “20-50 mijë lekë’. Kjo peshë ka rezultuar me rritje prej 3 pikë përqindje krahasuar me periudhën paraardhëse.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rezervat ndërkombëtare arrijnë në 4.05 mld euro. Rritje me 729 mln euro në një vit, ulet pesha e titujve, zgjerohen monedhat dhe depozitat

Postimi mëparshëm

Në vitin 2020 rritet papunësia, por jo numri i të papunëve. Shkalla e papunësisë te të rinjtë bie me 0.7 pikë përqindje

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.